Në Çamëri, aty ku edhe gurët flasin shqip – Çamëria do kthehet !
Lajme — April 17, 2018 at 7:20 am

Në Çamëri, aty ku edhe gurët flasin shqip – Çamëria do kthehet !

Të vizitosh Çamërinë është emocion dridhërues. Për më tepër që ditët e fundit po flitet aq shumë për të. Sot, prej politikanëve të lartë grek, duke përfshirë këtu edhe vetë presidentin Pavlopuolos, Çamëria është vënë në mirinë të pushkës, njësoj si në kohën e Napolion Zervës. Duke ulur e ngritur se çështja e saj nuk egziston, se shteti shqiptar duhet të hesht për të, ndryshe nuk do të bëhet pjesë e Evropës së Bashkuar, Athina zyrtare nuk po bën asgjë tjetër veçse po e përgjak sërish fytyrën e saj martire. Çamëria është dhimbje, është dhimbje krenare. Klikoni mbi foto dhe ju shfaqen sekretet dhe detajet.

Ajo vërtet mbetet ende plaga që rrjedh gjak prej shtatit të kombit shqiptar, por Çamëria është edhe vend mitik, është vendi që i këndoi Homeri i pavdekshëm. Çamëria është tokë mbretësh dhe princash. Është vendi i mbretëreshës Olimbi, nënës së Aleksandrit të Madh, por edhe i Pirro Burrit, mbretit të shquar të Epirit. Eshtë vendi i Gjin Bue Shpatës dhe i Pjetër Loshës që dominuan në mesjetë. Çamëria është vendi i Hasan Tahsinit, i Abedin Dinos, i Muharrem Rrushitit, por edhe i Bilal Xhaferrit e sa e sa martirë të tjerë që bën aq shumë për Shqipërinë. Çamëria është perla e Jonit, valët e të cilit prej më shumë se një shekulli rënkojnë thellë. Mbi të gjitha, ajo është e pavdekshme. Pra jeton, bues, shpërthen mes shqipes së saj mijra vjeçare, aq më tepër në këtë prag pranvere. Dhe për të vërtetuar katërcipërisht këtë e në të njejtën kohë për të hedhur poshtë zërat që e mohojnë dhe që jehojnë si prej Hadit, perëndisë së vdekjes, do të mjaftonte të bënim veçse një vizitë të shkurtër ne të. Kështu që, dridhmën më të madhe e ndjen kur gjendesh brenda kufijve shtetërorë të fqinjit tonë jugor. Tej Qafë Botës, sapo kapërcen kufirin shqiptaro-shqiptar gjendesh në Sajadhë, një qytezë bregdetare kjo e njohur për pasuritë e saj qysh prej periudhës mesjetare të princit arbëror Gjon Zenevishi. Ngadalson makinën në udhë e përshëndet në gjuhën shqipe kalimtarë të rastit e të panjohur.